Përtej gjithë gjërave
- Gunga
- Mar 14, 2019
- 1 min read
Përtej gjithë gjërave që ke kaluar,
përtej gjithë gjërave që do kaloj,
a mund të mbetemi puthja më e gjatë e njëri tjetrit,
vetëm sot?
Asnjëri nuk jemi naivë mjaftueshëm,
të mendojmë që për mua do jesh e fundit dashuri,
por me pak fat mund të jesh dashuri e parë,
dhe si një ëndërr e bukur, e vrarë,
të shkëlqesh në sytë e mi,
mëngjeseve e mbrëmjeve kur çdo gjë ndihet e kotë,
përtej gjithë gjërave që ke kaluar,
dhe nuk i ndryshon dot...
E dua atë zemër që e ruan me ngulm,
të ma japësh dhe nesër ta kthej sërish,
e kam kuptuar me kohë që e shkuara dhe e ardhmja nuk na përket.
Mundemi bashkë vetëm sot, të krijojmë një tjetër det,
tjetër qiell, e tjetër botë,
përtej gjithë gjërave që më presin
dhe ti e di, s’u shmangem dot...
Ti, një oaz në shkretëtirë..
Unë, një zemër e etur për të pirë,
çdo mendim, çdo fjalë që s’thua,
nën lëkurën tënde për të hyrë,
qetësinë e shpirtit lënë aty...
Më lejo vetëm sot,
përtej gjithë gjërave që ke kaluar,
dhe nuk i ndryshon dot,
përtej gjithë gjërave që do kaloj,
dhe nuk u shmangem dot,
të jemi ndjenja më e pastër për njëri tjetrin,
kurrë herë tjetër, vetëm sot...!!
-Jonara Hoxha- 14/03/2019
Comments