Unë jam kundër martesës
- Gunga
- Apr 18, 2019
- 3 min read
Sipas Oscar Wilde, femrat martohen sepse janë kureshtare, ndërsa meshkujt sepse janë të lodhur. Si përfundim, të dyja palët zhgënjehen. Për mendimin tim, martesa është një fenomen akoma më pak zbavitës se aq, është thjesht forma më e civilizuar e ndjekjes së rutinës. Jo rutinë e tillë si gjumi i natës dhe zgjimi në mëngjes, sepse kjo ka baza fiziologjike, ndërsa martesa është kokë e këmbë shpikje e njerëzorëve. Arsyeja: një shoqëri me njerëz të lirë, do të sillte kaos social.
Fillimisht dua të kundërshtoj lidhjen e padrejtë që bëhet mes martesës dhe dashurisë. Dashuria është një gjë, dhe martesa një tjetër, dhe përgjithësisht nuk ecin sëbashku. Dashuritë afatgjata janë tepër të rralla (ngase s’më pëlqen të them të pamundura), martesat jo dhe aq. Nëse dashuria ka në bazë altruizmin dhe ndjenjën e sakrificës, martesa është një marrdhënie simbiotike që përmbush interesat e përbashkëta të dy partnerëve. Janë dy kurba te funksioneve të ndryshme të cilat mund ose nuk mund të mbivendosen në ndonjë segment. Si rezultat i kësaj, shumica e martesave nuk janë të lumtura, dhe diçka e palumtur që e kufizon njeriun, a nuk është një burg?
Së dyti, martesa nuk është kusht për riprodhim. Më ka ndodhur të dëgjoj femra që thonin se arsyeja e vetme pse ishin të lumtura që ishin martuar, ishte se provuan ndjenjën e mëmësisë. Nuk e di kush ka qenë mëndjendrituri/a që ka thënë se për të patur një fëmijë duhet të martohesh.Është rregull i shoqërisë, i natyrës aspak. Ose, që të shkoj më tej, thëniet si: për të rritur një fëmijë mire, duhet që të jenë dy prindër, personalisht më duken nënvlerësime të njeriut për natyrën e tij ambicioze dhe të pavarur. Për të rritur një fëmijë mirë të duhen vetëm të mira materiale të mjaftueshme dhe aftësia për të ditur ti japësh drejtimin e duhur. Duke qenë se ka mjaft raste prindërish beqarë që kanë rritur femijë të jashtëzakonshëm, do të thotë që është plotësisht e mundur.
Së treti, martesa e kufizon njeriun. Në çfarëdolloj këndvështrimi ta shohesh, kjo ide qëndron. Të kufizon në aktivitetet që mund të ushtrosh, në kohën dhe energjinë që do ia kushtoje vetes: Nuk ke më 24 orë në ditë, dita shkurtohet aq shumë saqë papritur bëhet vetëm gjysmë ore që ti e kalon duke parë lajmet pasdite ose ndonje serial të preferuar. Ti ndalon së paturi progres personal dhe energjinë tënde ia ke detyrë martesës. Nga ky kufizim dhe pamundësi për tu zhvilluar lind dhe mjerimi qe karakterizon cdo njeri që kalon te 4o-at. Qëllimi më i lartë i njeriut është plotësimi i kënaqësive personale (s’po flas per kënaqësitë fizike, në djall me gjithë to sa shume mbivlerësohen), e gjithe bota për njeriun rrotullohet rreth vetes dhe kufizimi i mundësive të tij për të plotësuar veten dhe dëshirat që ka, çon ne vuajtje. Një rreth vicioz ku individi vazhdimisht vetëkonsumohet. Sa i shërben kjo gjë shoqërise? Inovacioni dhe ndryshimi kurrë s’ka ardhur nga individë të bindur dhe të kufizuar. Shoqërisë i shërben vetëm sa për “të ruajtur rendin”.
Së katërti, njeriu nuk është qenie besnike. Instikti është një sjellje kafshërore, dhe është mbi të gjitha sjellje e lindur. Do citoj sërish një shprehje të Wilde “Tradhëtia është çështje fiziologjike, të rinjtë duan të jenë besnikë por nuk munden, të moshuarit duan të tradhëtojne por nuk munden.” Posesiviteti dhe ndjenja e pronarit, zbehen me kalimin e viteve, dhe njerëzit e shohin si luks dhe krenari të quhen tradhëtarë apo dashnorë. Gjithmonë shoqëritë i kanë përqafuar imoralitetet, me kusht që fasadat të ruhen. A i shërben martesës ky individ, apo martesa këtij individi? Unë mendoj që jo.
Së fundmi, njeriu në momente të caktuara të jetës kërkon gjëra të ndryshme, kur është 20 kërkon romancë, kur është 30 kërkon mbështetje, kur është 40 kërkon pasion dhe risi, dhe kështu kërkesat e tij ndryshojnë vazhdimisht. Sa është në gjendje njeriu të bëjë zgjedhjen e duhur në një moshë kur kërkon romancën, dhe sa janë mundësite që zgjedhja e tij t’i përshtatet nevojave dhe imazhit që ky individ do kërkojë në faza të ndryshme të jetës.
Martesa ofron siguri, mbështetje, është padyshim një gjendje rehatie dhe me siguri ka dhe lumturi brenda në momente të caktuara. I pamohueshëm roli i saj në ruajtjen e rregullit në shoqëri. Unë jam kundër martesës që nuk lejon zhvillimin personal, dhe që sjell vuajtje shpirtërore dhe mendore (dhe shumica e martesave janë të tilla) dhe mbi të gjitha jam kundër mbivlerësimit që i bëhet si fenomen. Le të biem dakort njëzëri që martesa është shpesh një zgjedhje e nxituar që njeriu e bën në momente kur zotëron guximin që të ofron rinia, i ndikuar padyshim nga rregullat dhe moralet e shoqërisë, dhe që fatkeqësisht shumica e martesave janë të dështuara. Hiqni dorë nga kontratat, mbase nëse njerëzit nuk do kenë sigurinë që ofron një copë letër, do përpiqen më shumë për lidhjen që krijojnë, dhe do jenë pjesë e saj sepse duan dhe jo sepse kanë frikë të ikin.
Jonara Hoxha
Comments