Të urrej aq sa urren një mjek kolegun e vet.
- Gunga
- Oct 27, 2019
- 3 min read
Fillimisht dua të sqaroj që çfarë unë do shpjegoj më poshtë nuk ka lidhje me gjininë siç mund të keqkuptohet nga titulli, pasi per fat të keq, një mjek/e urren kolegët/et e vet/a. (Tek tipi i përbuzjes që drejtohet specifikisht ndaj gjinisë femërore në mjekësi do të ndalem një herë tjetër.)As mos më pyesni nga e nxorra këtë. Mjafton te kujtoni herët kur jeni përballur me një fenomen të tillë, sa herë jeni paraqitur si studentë në seminare e leksione dhe pedagogët kanë qenë mjekë, sa herë keni ikur në pavione si pacientë, apo sa herë qe keni kërkuar një këshillë si koleg (i ardhshëm), a si fqinj, a si familjar, dhe ajo çfarë keni dëgjuar ka qenë “Oh ata kolegët e mi të PAAFTË nuk dinë gjë!”
Mund të mendoni se ky fenomen ndodh në çdo lloj profesioni, por ju lutem mos ngatërroni konkurrencën me urrejtjen dhe përbuzjen. Mjekësia është fusha ku egoja është kaq e shprehur, saqë vëmendja kryesore është zhvendosur nga përpjekjet për përmirësimin e vetes në përpjekjet për të bërë kolegët e tu të ndihen të paaftë dhe jo aq të mirë sa ti, pavarësisht nëse ai/ajo është një mjek/e shumë i/e mirë, pavarësisht nëse ka zbuluar një mjekim të ri a një metodë të re kirurgjikale.
Është kjo ego, që i bën mjekët më vulnerabël, dhe gati-gati të pamundur të bashkëpunojnë “në harmoni” me kolegët e vet, dhe kostoja e gjithë kësaj bie mbi shpatullat e pacientit. Para disa javësh, për shkak se një i afërm i imi kishte probleme shëndetësore, mu desh të shkoja në një nga spitalet publike për të kërkur një dokument që të bënte një CT scan, dhe nuk gënjej kur them që më është dashur të takoj 4 mjekë të ndryshëm, pasi secili më thoshte se nuk ishte detyra e vet dhe më drejtonte tek kolegu. Një dokument i thjeshtë, që më bëri të dëgjoj në çdo derë ku më drejtuan “Kjo nuk është puna ime, por ai/ajo s’di gjë. S’bëjnë dot punën e vet!”
Në fillim mendoja se ky fenomen takohej vetëm në Shqipëri, duke qenë se nuk njihemi për ndonjë etikë profesionale kushedi, e as për ligje funksionale që mbrojnë të drejtat si të pacientit ashtu dhe të mjekut, por pas disa kërkimeve, në një artikull të “The Guardian” citohej që pika kryesore ku çalon sistemi shëndetësor është pikërisht mardhënia mjek-mjek, dhe është kjo ego kaq e zhvilluar që s’na lejon të duam as njëri-tjetrin e as pacientin. Gjithsesi jam e sigurt që në Shqipëri është më i shprehur si fenomen, për arsye se këtu sukseset janë lehtësisht të arritshme kur ke resourcet e duhura, dhe një sukses i arritur shpejt, bën që të zhvillohet kjo ego deri diku e pakuptimtë, ndërsa të tjerët që shohin teksa këta kolegë ngjisin pa të drejtë shkallët e karrierës, vetvetiu do të zhvillojnë ndjenja urrejtje ndaj tyre e për çudi të dyja palët ndihen superiorë ndaj palës tjetër.
Dikur, një mikja ime mjeke më pat thënë “Nuk është mjek i mirë, ai që flet keq për kolegët e vet!”, ndërsa unë ditë pas dite bindem që Shqipëria ka kaq pak mjekë të mirë.
Ndaj herë tjetër, kur të doni ti thoni dikujt që e urreni, e përbuzni dhe që ndiheni superior kundrejt atij/asaj, i thoni vetem “Të urrej sa urren një mjek kolegun e vet”...dhe kjo, i përfshin të gjitha.
תגובות