Të jesh gjallë është bekim.
- Gunga
- Jul 18, 2019
- 2 min read

Një gotë verë! Ndoshta dy...dhe ndihesh më i gëzuar, në qef, gjaku rrjedh më shpejt. Pastaj më vonë dhimbje koke, dhe epo...gjum. Nëse e mendon si një kasetë me shirit që përsërit veten vazhdimisht, më lejo të të prezantoj: Kjo është jeta. Ka shije të athët dhe mjafton shumë pak që të të bëjë të lumtur, dhe po aq pak që të të rrëzojë përtokë.
Përmenda pa dashur mbiemrin “i/e lumtur” dhe po shpjegoj që mbiemri me emrin nga i cili ka rrjedhur, nuk kanë pothuajse fare lidhje me njëri tjetrin. Kam kuptuar që qëllimi në jetë nuk është të gjejmë lumturinë, në fakt është që të rritemi dhe të formësojmë shpirtin në mes të një pafundësie gjërash që na bëjnë të lumtur apo që na thyejnë zemrën. “Copëza lumturie” ka cituar dikush, mua më pëlqen ti quaj thjesht momente kur je i lumtur. Të cilat meqë ra fjala, nuk janë të vetmet momente të rëndësishme. Po aq të vyera janë dhe netët pa gjum kur pret me ankth një telefonatë, apo lotët që derdh për një njeri të dashur, apo minutat (apo oret a ditët) kur ndihesh sikur shpirti të ndahet më dysh dhe jam e sigurt që më me lehtësi do kishe bërë kompromis të humbje ndonjë këmbë a dorë, sesa të ndjeje atë dhimbje therrëse në mes te kraharorit. Por me rëndësi është që, secila nga këto ndjenja, të përsërit në kokë, dhe të thotë herë me zë të lartë, e herë me zë i cili mezi dëgjohet: “Urime! Je gjallë, dhe mund të ndjesh emocione.”
Je gjallë, herë i fortë, herë i dobët, ti ke mundësinë të ndryshosh diçka, ke mundësinë të hedhësh një hap, të bërtasësh, të qeshësh, të qash...të ëndërrosh. BËJE!! Dhe bëje në mënyrën më të bukur të mundshme, pa menduar për asgjë tjetër, përveçse për momentin ku ndodhesh.
Kjo është jeta, çdo gjë që të vjen përballë, pranoje. Dikush ka thënë që të gjithë marrim të njëjtën sasi lumturie dhe hidhërimi në jetë, dhe jam shumë e bindur që ashtu është, mos u ndje fatkeq, as i pashpresë, kurrë, janë shkallë që do i ngjisim të gjithë, në një moment a në një tjetër.
Çdo mëngjes jeta hedh bast për ne, lëshon zaret, dhe kemi më shumë mundësi që të vdesim sesa të jetojmë. Mendo pak sa vulnerabël jemi, pothuajse çdo gjë mund të na vrasë: tharësja e flokëve, ashensori, makina...dhe e vetmja gjë që na mban gjallë është një bast i fituar për mrekulli. Bëjeni t’ia vlejë. Lëreni shpirtin të mbushet çdo moment me harmoni dhe zemërim, qetësi dhe dallgë, dhe shijojeni, aq sa zgjat, sepse asgjë nuk zgjat përgjithmonë, dhe me mëngjesin tjetër mund të vijë një emocion i ri.
Rritu me të sotmen dhe ëndërro për të nesërmen. Kthe një gotë verë dhe beso: “Të jesh gjallë është bekim.”
-Jonara Hoxha-
Comments