
Protestë në parajsë
- Gunga
- Apr 10, 2020
- 1 min read
Në parajsë s’qe dëgjuar kurrë
i tillë fjalim i marrë,
“Portën e florinjtë me gurë,
ta thyejmë, t’ia mbathim sa me parë.
S’jeni rraskapitur nga e tillë qetësi?
Veç lule e diell. Askund terr i zi.
Përqafime, puthje, e hiç asnjë lot.
Pa frikë, pa dështime, si jetoni dot?
Zogjtë më bezdisin, na duhet pakëz shi,
rrufe, bubullima, të vijë një stuhi,
e të strukemi sëbashku rreth një zjarri,
doktori, mësuesi, memeci dhe i marri.
Si mund të durojmë në të tillë trup,
që dhimbje s’ndjen, s’plaket, është një burg.
Qëllimet, ambiciet, uh ç’gjë e rrallë,
U mbytëm, kemi mall të ndjejmë mall.
S’ju lodhi çdo gjë gati, pa hiç fare mund?
Ta thyejmë këtë portë të ikim tjetër kund!”
E kush do ta mendonte, në parajsë,
u ngritën në protestë, çdo djalë, çdo vajzë,
miliona vite në bukuri qiellore,
nuk merr vesh parajsa nga ndjenjat tokësore.
Kur natë nuk ke, ditën s’e vlerëson,
pa hiçfarë zhgënjimi, askush s’dashuron.
Tokën kujtuan, s’kishte ndodhur kurrë,
portës së florinjtë iu hodhën me gurë.
-Jonara Hoxha-
Comments