top of page

Ne jetojmë për të mësuar

  • Gunga
  • Apr 1, 2019
  • 4 min read


Janë kthyer të gjithë: shoqëria, qeveritë, media, familja, kundër intelektualit dhe dijes. Me politika nga më të ndryshmet, po favorizojmë imazhin e njeriut të paaftë, të paditur e të pavlefshëm për shoqërinë. Dua të nis që nga familja, njësia shoqërore më e vogël dhe njëkohësisht më e rëndësishmja, ka dështuar në mënyrën se si edukon brezin e ri. Mënyra që familja shqiptare ka zgjedhur për të nxitur fëmijët drejt arsimimit është e tillë: Mëso që në te ardhmen të gjesh një punë dhe të kesh të ardhura të mjaftueshme për të siguruar jetën. E kemi dëgjuar të gjithë nje fjalim të tillë, por kjo nuk është mënyra e duhur!! Sigurisht është funksionale deri diku, por kush jemi ne të kufizojmë kaq shumë fëmijët tanë duke u vënë qëllime kaq të vogla. Janë të rrallë prindërit që mësojnë fëmijët me dashurinë për dijen, dhe nuk ia ushqejnë atë si një detyrim, por si gjëja më e bukur që ekziston. Një njeri që mësohet me idenë e të mësuarit për të siguruar jetesën, asnjëherë nuk do lexojë më shume nga ç’i duhet të lexojë, ndërkohë që dija eshtë e pafundme, dhe sa më shume të perfitojmë prej saj, aq më të vlefshëm behemi për familjen e shoqërinë ku jetojmë. Nuk e di pse na përndjek ky fenomen, ndodh sepse janë të rrallë dhe të rriturit që dashurojnë dijen, apo sepse jane njëtrajtësuar dhe ata me shoqërine duke formuar një sistem totalisht të dështuar.

Të dish, është kaq bukur. Un marr një kënaqësi të paparë sa herë mësoj diçka të re, dhe kuptoj që nga shumë gjera që nuk di, tani nuk di një gjë më pak. Sa frymëzues janë njerëzit që zotërojnë informacione, që nuk flasin përçart e japin argumenta. Më motivojnë, realisht këto pak arritje të miat ua dedikoj njerëzve që kanë hyrë në jetën time dhe kanë sjellë energjinë dhe vrullin e dijes. Nuk mund të bëhesh mjek i mirë, mësues i mirë, arkitekt i mirë apo çfarëdo qoftë nëse nuk e dashuron atë që mëson, nëse nuk ke kureshtje dhe vullnet dhe dëshirë për të ditur më tepër se çfarë të kërkohet, sepse për ty s’ka kufizime, sepse ti je i etur për dije.

Zhgënjehem çdo ditë e më shumë nga realiteti ku jetojmë, sistemi arsimor ka arritur fundin, nuk e di nëse ka më keq se kaq, pedagogë të painteresuar dhe në mjaft raste edhe të paaftë, por edhe studentë që kanë rënë në heshtje dhe në një qetësi të hidhur duke neglizhuar edhe rrugët e pakta qe na ofrohen për të përfituar dije. Jean-Jacques Rousseau ka cituar “ Qetësia absolute çon në trishtim. E ky, është imazhi i vdekjes”. Ai përveçse shkrimtar dhe filozof, mori pjesë në revolucionin francez, nuk u ndal, guxoi, mbi të gjitha sepse besonte në aftësinë e individit për të ndryshuar fatin e tij. Dhe ne, sot, kur kemi çdo mundësi për të ndryshuar fatin tonë, pa armë, e pa sjellje radikale, stepemi, sepse na shijon e dreqosura qetësi ku kemi rënë e s’dimë a s’duam të guxojmë.

Pashë mbrëmë filmin “The thinning”, dhe një përmbledhje e shkurtër e tij është kjo, në USA si politikë për uljen e popullsisë përdorej një test, te cilit nxënësit i nënshtroheshin për 12 vite rrjesht, një herë në vit, dhe studentët me rezultatet më të ulëta eleminoheshin. Ka shumë të drejta të njeriut që bien në kundërshtim me politikën në fjalë, gjithsesi dua të ndalem në faktin që një politikë e tillë, nxiste individin të studionte. Kjo është kundër gjithë idesë time te nxitjes së studenteve drejt dijes pa mënyra të dhunshme, por me duhet të sqaroj diçka, nuk është brenda mundësive të një qeverie që të motivojë në atë mënyrë, ndërkohë që patjetër duhet të ndërmarrë politika për të orientuar individin në një farë mënyre drejt dijes (s’jam pro eleminimit të individit të paditur, e theksoj.) Por ka kaq shumë mënyra, një student është një filiz që duhet ta mbrojmë dhe ashtu si një bimë ka nevojë për shumë faktorë që të rritet, nuk duhet t’ia mohojme dritën e dijes, as ta shtypim me arrogancën që na ofron një pozicion më i lartë, një studenti përpiquni ti jepni krahë sepse ai e ka energjinë e duhur që të fluturojë.

Mediat kanë një rol shumë negativ në këtë fenomen gjithashtu. Reklamohet çdo ditë e më shume padituria, lakuriqe dhe simpatike, dhe harrohet të thuhet një fjalë për dijen që duket aq e thjeshtë dhe e pastër. Duke zotëruar nje fuqi kaq të madhe ndikuese tek të rinjtë, media shtyn drejt jo vetëm paditurisë, por edhe drejt babëzisë për para e fasadave të rrjeteve sociale. Meritrokracia…nuk ekziston ne fjalorin dhe edukatën mediatike.

Së fundmi dua t’u them moshatarëve të mi, që Shqipërisë nuk i mungojnë profesionistët, dhe mos lejoni t’u mashtrojnë me të tilla fjalime shesheve. Shqipërisë i mungojnë njerëzit që dashurojnë dijen, dhe në momentin që një njeri ndalon së dashuri dijen, ai individ ndalon së përpjekuri për të zhvilluar vetveten. Në atë moment njeriu brenda tij vdes. Dhe mos prisni kot vdekjen fizike të organizmit. Kuptoni që ne nuk duhet të mësojmë për të jetuar, ne kemi lindur dhe jetojmë për të mësuar.


Jonara Hoxha

 
 
 

Recent Posts

See All
S’dua të rritem

Po përpiqem të jem unë, me ëndrra, arrogante, e fjalë shumë, e buzëqeshur dhe në faje pa kthim, por që qan pa fryme për një film. Hesht,...

 
 
 
Sot mos hesht! #Përfëmijët

Çdo herë më tronditin lajme të tilla, të abuzimit të fëmijëve. Na godasin aq fort si shoqëri, na vënë në dukje të gjitha të metat tona,...

 
 
 

Comments


+355676208083

©2018 by Gunga. Proudly created with Wix.com

bottom of page