Dashuria është egoiste, dhe unë do pranoj vetëm atë që meritoj!
- Gunga
- Sep 29, 2019
- 3 min read

U zgjova këtë mëngjes, dhe teksa dikush po mendon për tërmetin, dikush për përmbytjet, dikujt i mungon uji ose dritat, ndonjë për negociatat, Greta për shkatërrimin e planetit…unë, nuk e di pse, e gjitha çfarë mund të mendoja teksa pija me të shpejtë kafenë, ishte “çfarë lloj dashurie po kërkoj…” Nuk e di pse.. Ose ndoshta unë e di, por ju nuk e dini!
Kam dëgjuar një shprehje në një film, (me siguri ndonjë filozof i shquar do e ketë cituar më parë) që thoshte “Ne pranojmë vetëm atë dashuri që mendojmë se meritojmë”. Në fillim s’më ka pëlqyer, për mua dashuria gjithmonë ka qenë një botë ku merita s’kishte të drejtë të merrte pjesë. Në fund të fundit, ç’rëndësi ka nëse ne mendojmë se meritojmë më shumë apo më pak dashuri, kur përballë kemi dikë që po përpiqet të na dojë me gjithë forcën e shpirtit. Dashuria ka të bëjë me tolerancën, mirëkuptimin, dhe dy njerëz që i hidhen në krahë njëri tjetrit dhe bëjnë të funksionojë. Gjithmonë mendoja kështu, deri në momentin që kuptova se pranimi i një ndjenje, ashtu siç të ofrohet, vetëm me justifikimin që është ndjenjë, është në fakt vuajtje.
Çfarë ndodh kur takohen dy njerëz, njëri me shumë dashuri për të dhënë, dhe që njëkohësisht pret shumë dashuri, dhe tjetri me pak dashuri për të dhënë dhe për të marrë. Jo detyrimisht me më pak, le të themi që kërkon të marrë dhe të japë një lloj tjetër dashurie. Ka dy mundësi: ose secili do të ndryshojë pritshmëritë e veta, duke gjetur një të mesme të artë, e cila unë ngul këmbë që nuk ekziston, në asnjë fushë të jetës. Jetojmë te çekuilibruar dhe kjo është e bukura e botës tonë. Mundësia e dytë është që njëri do të bëjë një transformim të dhimbshëm të vetes, dhe do i japë personit tjetër çfarë ai kërkon, e në të njëjtën kohë do pranojë çfarë ti ofrohet. Përfundimi është i tillë që, një lidhje si kjo, nuk ofron lumturi, dhe njeriu gjithmonë ka patur prioritet kryesor lumturinë e vet. Natyra njerëzore është e tillë që, ne duam para sepse na bëjnë të lumtur, hamë çokollata sepse ndihemi të lumtur, vizitojmë vende, shohim filma romantikë për të qarë, sepse ne një farë mënyre na bëjnë të lumtur. Dhe dashuria, mendoj unë, është një ndër gjërat më egoiste që ekzistojnë, ne e kërkojmë me ngulm atë, për ta vënë në qëllim të vetes dhe të lumturisë tone.
Nuk është ndonjë dramë e jashtëzakonshme, apo e rrallë, takimi i dy personave që duan gjëra të ndryshme. Pranimi i dashurisë që ti mendon se meriton, kërkon shumë forcë dhe kurajo. Nëse ti pret një “Full-love” dhe gjen një “Half-love”, mos ndalo, ajo dashuri nuk është e jotja për ta mbajtur. Nëse ti kërkon një “Half-love” dhe gjen një “Full-love”, sado të duket sikur të ka rënë telebingo, mos e prano, ajo dashuri nuk mund të të sjellë paqe apo lumturi. Ju të dy meritoni më shume. Jo se njëri tjetri, por më shumë se lidhja që mund të krijoni.
Askush nuk është fajtor për ndjenjat e tij. Në dashuri nuk ka faj, as rregulla, as numra, dhe as merita. Ne kërkojmë vetëm diçka që na bën të lumtur. Mund të ndryshojmë me dhjetëra herë, ndoshta dhe të pavetëdijshëm për këtë, idetë tona mbi llojin e dashurisë që kërkojmë, dhe duhet të jemi të fortë dhe egoistë mjaftueshëm ti themi “JO” një ndjenje që nuk i përputhet asaj që ne kërkojmë, pa u ndjerë aspak fajtorë. Pra…çfarë lloj dashurie po kërkoj…më duket se e gjeta përgjigjen!! Një që të më bëjë të lumtur.
Commenti